Është arrestuar edhe i dyshuari i pestë për vrasjen që ndodhi mbrëmjen e së hënës në lagjen Arbëria në Gjilan. Kështu ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan, për çka thotë se R.I është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ndaj të dyshuarit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale “vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me inicialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 08 Nëntor 2021, në Gjilan, në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri E.R. Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.I., ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
I ndjeri E.R ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, kështu ka thënë për KosovaPress drejtori i këtij spitali, Arsim Emini.
Ndërsa personi tjetër që mbeti i plagosur, pas mjekimit që mori në spitalin e Gjilanit, u dërgua në QKUK, ku edhe po trajtohet. Ai po trajtohet në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ku drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica tregoi mëngjesin e sotëm se gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.