Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës në Kosovë është takuar sot edhe me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë.
Ai me këtë rast theksoi rolin e rëndësishëm që sektori privat ka në rritjen e përshpejtuar të ekonomive individuale dhe integrimin rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
“Unë çmoj punën avokuese që bëjnë odat rajonale amerikane dhe shoqatat e biznesit, për t’i sjellë përfitime tërë rajonit. Rrëfimi i Ballkanit Perëndimor është ai i rritjes fenomenale dhe mundësive fenomenale ekonomike që janë të pranishme këtu”, tha Escobar.
Derisa vlerësoi se një pjesë e rritjes lidhet me aktivitetet ekonomike pas pandemisë COVID dhe remitencat nga jashtë, ai tha se ka rritje të fuqishme ekonomike në gati secilin shtet të Ballkanit Perëndimor.
“Mesazhi im për kompanitë amerikane është se nëse keni një treg të konsoliduar, të hapur në rajon, ju keni kapacitetin për një rritje të vrullshme në furnizim me gaz likuid natyror (LNG), në dërgesa, në transport, IT, energji të ripërtërirë dhe sektorë më të vegjël, si turizmi dhe zbavitja. Këto investime nuk do t’i shërbejnë vetëm Ballkanit Perëndimor, por Evropës Lindore në përgjithësi”, tha Escobar.
Ai shtoi se Ballkani ka potencialin të bëhet ofrues i shërbimeve për tërë Evropën, duke thënë se qeveritë pro biznesit që janë të hapura për bashkëpunim përtej kufijve janë kyçe për de-bllokimin e potencialit ekonomik.