Me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Anëtarët e rinj të këtij Bordi drejtues janë Dren Boshnjaku, përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni nga Qendra Stomatologjike, Rrezarta Bajrami nga IKShPK, Besim Demolli nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt, Vjosa Kadrolli nga Shërbimi i Kujdesit Parësor, Naim Bardiqi si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor që zgjidhet përmes konkursit publik.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Bordi drejtues i ShSKUK-së ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të këtij institucioni shëndetësor.
“Bordi drejtues është organi më i lartë i ShSKUK-së dhe përbehet nga shtatë anëtarë. Bordi drejtues ka për detyrë të siguroj mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të ShSKUK-së përfshirë aktivitetet shëndetësore, arsimore, kërkimore-shkencore si dhe aktivitetet e ndërlidhura financiare dhe administrative të njësive të tij organizative dhe funksionale me qëllim të orientimit të përgjithshëm të punëve të ShSKUK-së si dhe reagimit optimal të nevojave shëndetësore të qytetarëve dhe banorëve të Kosovës”, theksoi ai.