Një eklips diellor unazor i quajtur “unaza e zjarrit” do të shfaqet në qiejt mbi Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore më 14 tetor, duke krijuar një spektakël të veçantë – dhe një mundësi të rrallë për shkencëtarët.
Nofka “unaza e zjarrit” vjen nga shfaqja e eklipseve diellore unazore, të cilat janë si eklipset diellore totale, përveç se hëna është në pikën më të largët në orbitën e saj nga Toka, kështu që ajo nuk mund ta bllokojë plotësisht diellin. Në vend të kësaj, drita e zjarrtë e diellit rrethon hijen e hënës, duke krijuar të ashtuquajturën “unazë zjarri”.
Nëse lejohet nga moti, një eklips i pjesshëm diellor në formë të gjysmëhënës, ku vetëm një pjesë e diellit mbulohet nga hëna, do të jetë i dukshëm më 14 tetor në të 49 shtetet kontinentale të SHBA-së, përfshirë Alaskën, sipas NASA-s.
Nëse nuk mund ta shihni eklipsin, NASA do të bëjë një transmetim të drejtpërdrejtë duke filluar nga ora 11:30 ET në ditën e eklipsit, duke ndarë pamje nga Albuquerque, New Mexico, Kirbyville, Texas dhe White Sands, New Mexico, sipas Kelly Korreck, menaxhere e programit të eklipsit në NASA, shkruan CNN.
Nuk është kurrë e sigurt të shikosh drejtpërdrejt diellin pa përdorur mbrojtje të specializuar dhe nuk ka asnjë fazë të një eklipsi unazor që është e sigurt për t’u parë me sy të lirë, sepse drita e diellit nuk bllokohet kurrë plotësisht.
Prandaj, për të parë eklipsin unazor, vini syze eklipsi të certifikuara ose përdorni një shikues diellor. Ju po ashtu mund të vëzhgoni diellin me teleskop, dylbi ose kamerë që ka një filtër të veçantë diellor në pjesën e përparme, i cili vepron në të njëjtën mënyrë si syzet e eklipsit.