Tashmë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka mbyllur hapësirën ajrore për Rusinë. Kështu bëri të ditur, presidenti i ShBA-së, Joe Biden në fjalimin e tij para Kongresit amerikan për gjendjen në vend, teksa shtoi se ndalesa do ta izolojë edhe më shumë Rusinë dhe se do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë e saj.
“Sonte po njoftoj se ne do të bashkohemi me aleatët tanë në mbylljen e hapësirës ajrore amerikane për të gjitha fluturimet ruse, duke e izoluar më tej Rusinë dhe duke shtuar një shtrëngim shtesë në ekonominë e tyre”, tha Biden.
Mes pushtimit të Rusisë në Ukrainë, presidenti Biden vlerësoi aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’u bashkuar me “kombe të tjera liridashëse” anembanë botës.
“Kemi qëndruar të bashkuar”, tha presidenti, shkruan CNN.
“Ne i kundërshtuam gënjeshtrat e Rusisë me të vërtetën dhe tani, tani që ai ka vepruar, bota e lirë po e kërkon atë përgjegjës. Putini tani është i izoluar nga bota më shumë se sa ka qenë ndonjëherë”, tha Presidenti, një vërejtje që u prit me duartrokitje brenda dhomës së kongresit ku po mbante fjalimin për gjendjen e Bashkimit.
Biden tutje tha se presidentit i Rusisë, Vladimir Putin me ndërhyrjen e tij në Ukrainë u përpoq që të tundte themelet e botës së lirë por që theksoi se llogarit e tij kanë shkuar keq.
Presidenti amerikan nënvizoi se Putin u përballë me një mur fuqie që kurrë nuk e kishte imagjinuar.
“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq të tundte themelet e botës së lirë. Duke menduar se mund ta bënte atë të përkulej në mënyrat e tij kërcënuese. Por ai e llogariti keq. Ai mendoi se mund të futej në Ukrainë dhe bota do të rrotullohej. Ai u takua me një mur fuqie që kurrë nuk e kishte parashikuar apo imagjinuar. Ai u takua me popullin ukrainas”, tha Biden, raporton CNN.
Mëngjesin e 24 shkurtit, Rusia sulmoi Ukrainën.