Dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në veri të Kosovës cënojnë shumë administrimin e drejtësisë në këtë pjesë të vendit. Ndërsa zëvendësimi i tyre është pothuajse i pamundur, kështu po vlerësojnë njohësit e drejtësisë në Kosovës.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala tha se largimi i zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës është i papranueshëm dhe në kundërshtimet me atë që është arritur deri tani në dialog.
Sipas tij, kjo qasje jo vetëm që prek efikasitetin e lëndëve që janë në shqyrtim, por mund të ndikojë edhe në ndërmarrjen e veprimeve të caktuara procedurale.
“Për lëndët të cilat janë në zhvillim e sipër ka pasoja shumë të mëdha secilin rast kur ndryshohet një anëtar i trupit gjykues, lënda duhet të fillojë nga pika zero, tjetër është se ka shumë lëndë të cilat kanë afate ligjore, kjo i bie që do të humb edhe e drejta për të ndërmarrë veprime të caktuara procedurale. Në anën e përgjithshme në administrimin e përgjithshëm të drejtësisë kjo Gjykatë dhe Prokurori ka pas vazhdimisht probleme se në të kaluarën nuk ka funksionuar siç duhet dhe është dashur vite që pothuajse të filloj rikuperimi i dëmeve që janë shkaktuar në të kaluarën dhe tërheqja e stafit të gjyqtarëve dhe prokurorëve e cënon jashtëzakonisht shumë administrimin e drejtësisë në këtë pjesë qoftë edhe për një periudhë relativisht të shkurtë kohore. Kjo qasje që definitivisht përpos që prek efikasitetin në trajtimin e këtyre rasteve, në rastin e caktuara kur afati i parashkrimit është më i shkurtë defintivisht që rrezikohet edhe afati i parashkrimit, për këtë arsye pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha dhe duhet të gjendet një zgjidhje në kuptim të faktit që kjo të mos ndodhë”, theksoi ai.
Sipas hulumtuesit të IKD-së, Gëzim Shala bazuar në marrëveshjen e Brukselit për drejtësi zëvendësimi i këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve është pothuajse i pamundur. Ai kërkon zgjidhje sa më shpejt të kësaj problematike pasi pasojat janë të mëdha.
“Edhe zëvendësimi i tyre do të jetë pothuajse i pamundur. Në bazë të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi kërkohet që këto pozita me prokurorë me gjyqtarë serbë dhe në këtë situatë kur të njëjtën kanë dhënë dorëheqje masive kuptohet se edhe procedurat eventuale të rekrutimit nuk do të kishin sukses. Për këtë arsye definitivisht kërkohet një zgjidhje e kësaj problematike për shkak se pasojat janë konsideruar shumë të mëdha”, deklaroi Shala.
Shala e ka konsideruar si pozitiv mosshqyrtimin e këtyre dorëheqjeve nga KGjK dhe KPK, ndërsa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të ketë qëndrim të qartë lidhur me situatën e krijuar.
Edhe hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi thekson se dorëheqja e ditëve të fundit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri do të ndikojë negativisht edhe në mbarëvajtjen e punës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës. Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar atje do të rritet numri i lëndëve që janë në pritje.
“Tashmë gjykatat përballen me një numër të madh të lëndëve të cilat i trashëgojnë vit pasi viti, por tash edhe me dorëheqjen e gjyqtarëve nga komuniteti serb duke e ditur që një pjesë të madhe të lëndëve i kanë gjyqtarët serb dhe prokurorët serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kjo i bie që këta gjyqtarë dhe këta prokurorë kanë bërë që me dorëheqjen e tyre edhe të rritet numri i këtyre lëndëve që presin verdikt nga ana e gjykatës. Më e keqja është se edhe vetë qytetarët nuk mund t’i marrin shërbimet nga ana e gjyqtarëve”, theksoi ai.
Salihi po ashtu tha se me dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pjesën veriore të Kosovës është vënë në pikëpyetje edhe pavarësia e sistemit të drejtësisë atje.
“Në anën tjetër, një ndikim tjetër negativ me rastin e tërheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve është edhe çështja që këtu kemi cënim direkt të pavarësisë së gjyqësorit duke e ditur që gjyqësori është institucion i pavarur dhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur në marrjen e vendimeve të tyre. Pra, kësisoj kemi konsideruar dhe sugjerojmë që gjyqtarët dhe prokurorët duhet që detyrat e tyre t’i kryejnë me pavarësi të plotë dhe mos të kenë ndikime qoftë nga vendimet që i merr Prishtina apo Beogradi”, tha Salihi.
Lidhur me këtë situatë të krijuar tashmë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial kanë zhvilluar takime, në të cilat nuk i shqyrtuan dorëheqjet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të punonjësve mbështetës me arsyetimin se nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente.
Këto dorëheqje kanë ndodhur edhe në sektorët në këtë pjesë të vendit. Ndërsa, gjatë ditës së djeshme edhe dhjetë deputetë të Listës Serbe i kanë dorëzuar mandatet e tyre.
Këto veprime kanë ardhur pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë në Veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrim të targave.