Anëtarët e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës kanë pritur një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të investuar në Kosovë në sektorin farmaceutik.
Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtarë Farmaceutike, Syed Abidi ka thënë se Kosova ka potencial në aspektin e prodhimit të produkteve farmaceutike ku edhe do ta bënte eksportin për në vendet e tjera.
“TrePharm po rritet, gjithashtu po bëhet e rëndësishme që ata të marrin të paktën një njohje nga mekanizmat evropianë për produktet, dhe ne jemi të lumtur ta lehtësojmë këtë aspekt”, tha Abidi.
Drejtori i kompanisë “TrePharm” nga Kosova ka thënë se Kosova ka mungesë të vendosjes së rregullave për vendosjen e çmimeve në produktet farmaceutike të cilat shiten në vend.
“Kosova është totalisht një treg i shfrenuar, nga ana farmaceutike është i vetmi treg në Evropë, në kontinentin evropian, jo vetëm në Bashkimin Evropian, i cili nuk ka rregulla të produkteve farmaceutike as nuk ka çmim, do të thotë çfarëdo çmimi vendoset, nuk ka mundësi që ti të vendosësh çmimin çfarëdo çmimi produktit, janë rregullat si të del një çmim i produktit, importohet nga çfarëdo vendi pa paragjykime, se ka vende që eksportojnë në Amerikë edhe në çdo vend, por pa asnjë kërkesë për kualitetin dhe vendosjen e tyre”, tha Prishtina.
Ndërkaq deputeti Armend Muja, kërkesën e delegacionit për të pasur një ligj për produktet farmaceutike të cilat duhet të kontrollohen para se ato të dalin në treg, e cilësoi si të drejtë.
“Ne si Kosovë kemi diçka në prodhim. Sikurse në çdo industri për të pasur zhvillim duhet të ketë një kornizë të rregullatorit dhe ju keni të drejtë kur e kërkoni ndërsa, ne duhet ta marrim parasysh dhe po neve na duhen këshilla nga vendet tjera si ta rregullojmë kornizën ligjore. Një shqetësim kryesor në industri është financimi afatgjatë”, tha Muja.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i ka thënë delegacionit se e mirëpresin një nismë të tillë për të investuar në Kosovë pasi që vendi po kalon në një krizë me pandeminë ku edhe ka mungesa të barnave esenciale.