Një shtëpi është përfshirë nga zjarri mesditën e së martës mbrapa Qendrës Mjekësore Familjare në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Lajmin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës, të cilët thanë se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.
“Sot rreth orës 12:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku është duke u djegur një shtëpi. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Deri tani nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Një qytetar tregoi në detaje momentin e përfshirjes nga zjarri të shtëpisë. Megjithatë ai thotë se zjarrfikësve iu është pamundësuar ndërhyrja e shpejtë për shkak të rrugës së bllokuar nga veturat.
“Zjarrfikësit shumë shpejt kanë ardhur, por ka qenë një ndihmë e shpejtë dhe rruga e bllokuar, andaj s’kanë mund të arrijnë me kohë për shkak të rrugës bllokuar. Mbi 20 minuta kanë pritur, pastaj kanë shkuar nga një rrugë alternative, por edhe ajo kanë mbetur të bllokuar për shkak të kolonës së veturave. Kjo rruga ndërmjet Postës dhe Kurrizit ka qenë e mbyllur për shkak të punimeve. Dua të them se zjarrfikësit s’kanë pasur qasje të vijnë me kohë. Ne ju kemi ndihmuar t’i shtrimë gypat për të shuar zjarrin më shpejt. Kur u lirua rruga atëherë ata janë kyç më shumë në shuarjen e zjarrit…Përgjegjësit e komunës duhet të mendojnë këto raste se si të vijë ndihma e shpejtë dhe zjarrfikësit në vend ngjarje. Për këtë rast vetëm jam dëshmitar se zjarrfikësit s’kanë pasur qasje për shkak të rrugës së bllokuar”, tha ai.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit.