Në vendkalimin kufitar në Merdare, dhjetëra maune me mallra serbe janë duke pritur në territorin e Serbisë për t’u futur në Kosovë.
Disa transportues nga Serbia janë njoftuar se nuk u lejohet hyrja në Kosovë dhe janë ndalur afër pikës kufitare për të mos hyrë në Kosovë.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të enjten se nuk ka masa ekonomike – tregtare ndaj Serbisë, por sipas tij këto janë masa të sigurisë.
Ndërsa, Nenad Nastasieviq vozitës i kamionit me targa të Serbisë ka thënë se është duke pritur në Merdare për të hyrë në Kosovë me mall nga Bullgaria. Ai ka treguar se disa kamionë nga Serbia nuk kanë pritur për të hyrë në territorin e Kosovës, por janë kthyer mbrapsht.
“Janë rreth 20 kamionë duke pritur në parking, Qeveria e juaj nuk po lejon me kaluar megjithatë unë sjell mall nga Bullgaria dhe nuk kam diçka nga Serbia. Gati 6 orë jam duke pritur, ka pasur kamionë të cilët janë kthyer mbrapsht, por unë mendoj që të pres këtu”, ka thënë Nastasijeviq.
Ndërsa, Esat Mehmeti shofer i një kompanie nga Kosova u shpreh se gjatë kalimit të kufirit ka kontrolle të rrepta nga ana e Policisë së Kosovës.
“Në pjesën tjetër janë duke pritur rreth 200 kamionë me dalë në pjesën e Kosovës. Doganierët dhe policët po sillen keq. Vetëm me targa të Evropës, Zvicrës munden me kalua. Ka kontrolle të rrepta, po kontrollojnë në kabinë, të cilat janë provokime”, tha Esat Mehmeti.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë, gjendja nuk është e zakonshme dhe e ka quajtur agresion nga Serbia. Për këta ai thekson se qeveria e Kosovës ka marrë masa të sigurisë në pikat kufitare me Serbinë.
“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë nuk janë masa ekonomike – tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia, nga njëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalimet kufitare. Prandaj, si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”, theksoi Kurti të enjten në mëngjes.
Aktualisht Serbia po i mban tre zyrtarë policorë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën në veri.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.