Pas dështimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet takim i nivelit të lartë politik, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Një takim i tillë po konsiderohet i mirëseardhur që mund t’i jep zgjidhje problemit për targat e automjeteve të dy vendeve, por edhe do t’i hapte rrugë dialogut për marrëveshjen përfundimtare.
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi thonë për KosovaPress se është krijuar momentumi për takimin Kurti-Vuçiq, në të cilin duhet të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Njohësi i rrethanave politike, sociologu, Artan Muhaxhiri tha se vetëm takimet e nivelit të lartë politik mund të japin shpresë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
“Një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të ishte i mirëseardhur sepse do të jepte një shkëndijë shprese për mundësinë e rifillimit të dialogut. Për Kosovën dialogu është jetik në agjendën evropiane dhe pa takime të nivelit të lartë nuk mund të ketë hapa të mëdhenj përparues. Vetëm në takimet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq mund të ketë shpresë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e cila do t’ju ndihmojë edhe qytetarëve, por edhe agjendës evropiane të Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Takimin Kurti-Vuçiq e pret edhe analisti politik, Gazmir Raci, por ky kërkon përfshirje më të madhe të ShBA-së në këtë proces.
“Pas zhvillimeve gjeopolitike dhe invazionit rus në Ukrainë, mendoj se dialogu do të marrë drejtim tjetër dhe pres involvim direkt dhe më të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe natyrisht mbështetjen më të madhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që palët të zgjidhin këtë problem. Kërcënimi rus në Ballkan është aktiv dhe andaj edhe ShBA-të dhe BE-ja duhet të jenë seriozisht të përfshirë në këtë fazë… Unë besoj se involvimi më i madh amerikan dhe më direkt do të mund t’i ulë përsëri nivelin e lartë, fundja nuk ka zgjidhje tjetër se pa u ulur liderët politikë nuk mund të arrijmë marrëveshjen finale”, deklaron ai.
Ndërkohë, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se në takimin Kurti-Vuçiq duhet të rifillojnë negociatat për marrëveshjen finale.
Përkundër dy ditëve negociata më 20 dhe 21 prill në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk gjetën pajtueshmëri për të arritur marrëveshjen për targat e automjeteve. Marrëveshja e përkohshme për vendosjen e ngjitësve në simbolet shtetërore në targat e automjeteve pritet të vazhdojë deri në arritjen e një zgjidhje të përhershme.
Takimin Kurti-Vuçiq dje e paralajmëroi edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq./E.Zeqiri