Në seancën gjyqësore në rastin kundër Pjetër Shalës i njohur me nofkën komandat “Ujku”, tashmë ka nisur dhënien e dëshmisë së tij dëshmitari i shtatë me pseudonimin TW4-01.
Derisa, ky dëshmitar i radhës ndodhet në sallën e gjyqit, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e ka njoftuar atë me masat mbrojtëse, ndërsa shtoi se për arsye të mbrojtjes së identitetit të tij pjesa më e madhe e dëshmisë do të jetë në seancë private.
Trupi gjykues theksoi se pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, transkripta e dëshmisë së tij do të rishikohet në kohën e duhur dhe do të bëhet publike sa më shumë që të jetë e mundur.
“Për arsye të mbrojtjes së dëshmitarit parashikojmë që pjesa më e madhe e dëshmisë së këtij dëshmitari të jepet në seancë private në mënyrë që të mbrohet identiteti i dëshmitarit. Paneli më pas do të shikojë dëshminë dhe do të gjykojë se cilat pjesë mund të nxirren për publikun”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraparë që për 12 orë të bëjë pyetje për dëshmitarin e shtatë.
Pjetër Shala, seancën e sotme po e përcjell nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.