Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka filluar me dëgjimin e një dëshmitari të mbrojtur, identiteti të cilit nuk është bërë i ditur për publikun.
Të dhënat personale të këtij dëshmitari janë lexuar në seancë private gjithashtu publiku nuk ka dëgjuar as kur dëshmitari i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit lidhur me një periudhë të pranverës së vitit 1998.
Prokurori Filipe Deminiqes ka prezantuar një hartë në të cilën dëshmitari ka rrethuar emrin e vendit ku ka banuar në periudhën e vitit 1998. Kjo hartë nuk është bërë e ditur për publikun. Por sipas prokurorit, dëshmitari ka thënë se vendi ku ka banuar në atë periudhë ishte rreth tri orë ecje në këmbë deri në fshatin Jabllanicë.
Tutje prokurori e ka pyetur dëshmitarin rreth babait të tij, për çka dëshmitari ka thënë se ai ka shërbyer si oficer policie deri në vitin 1997. Në këtë vit, sipas dëshmitarit, ai ishte detyruar të dalë në pension për faktin se ishte shqiptar.
“Në komunitetin ku kemi banuar gjithçka ka qenë në rregull, ka qenë në marrëdhënie të mira me komunitetin, ka pasur raporte të shkëlqyera me drejtor të shkollave, me persona që kanë qenë përgjegjës nëpër rrethin, komunën, marrëdhënie të shkëlqyeshme, dhe mbrojtjen e atij rajoni ku nuk është bërë asgjë jo ligjore, asgjë jashtë ligjit nuk ka lënë që të bëhet. Dhe më pas kanë pasuar edhe shkarkimi i tij i dhunshëm, në vitin 1997”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari i cili mban numrin 8, ka thënë se babai i tij nuk ka qenë aktiv në politikë por si familje kanë qenë përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Aktiv(në politikë) nuk ka qenë por si familje, babi personalisht, e kemi përkrah Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova”, ka thënë dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, në maj të atij viti, dy persona kishin vizituar shtëpinë e tij me kërkesën e dorëzimit të armëve.
“Në maj kanë ardhur dy persona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Jabllanica, Hamëz Ibrahimaj dhe një person tjetër edhe ai Ibrahimaj, herën e parë dy persona, këta dy kanë qenë, kanë ardhur në shtëpi, kanë folur më vëllain gjëja për dorëzimin e armëve që i kemi pasur për mbrojtjen e fshatit. Vëllai u ka thënë që baba nuk është këtu. Këta persona kur kanë dalë jam takuar me ta te rruga e shtëpisë sime dhe më kanë thënë që armët që i keni duhet me i dorëzu, i kam thënë që armët i kemi për mbrojtën e fshatit dhe nuk është e arsyeshme për me i dorëzu, ky është urdhri i Lahi Ibrahimit, kështu kanë thënë”, ka deklaruar dëshmitari ndërsa përgjigja e tij tutje ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales, “krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.