Në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” po vijon vaksinimi i personave 75 deri në 79 vjeç të shoqëruar me sëmundje kronike. Nga këta vetëm sot janë vaksinuar 85 persona, ndërsa në total janë vaksinuar 1 mijë e 26 persona nga kjo grupmoshë që kanë edhe sëmundje kronike.
Ndërsa shifrat totale të të vaksinuarve deri më sot janë: 1 mijë e 202 persona të vaksinuar nga grupmoshat 80-85 vjeç, 53 persona në dializë, dhe nga shtëpia e pleqve u vaksinuan 111 persona.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit, Niman Bardhi tha se edhe ditën e sotme po vazhdon vaksinimi i personave në moshën 75 deri në moshën 79 vjeç, ai tha se nga 8 prilli deri sot janë vaksinuar 2 mijë e 600 të moshuar nga grupmoshat e ndryshme.
“Edhe në ditën e sotme kemi vazhduar me vaksinimin e personave të moshës mbi 75-vjeçare të shoqëruar me sëmundje kronike, ku aktualisht deri në këto çaste që ne po flasim kemi gjithsej të vaksinuar 85, ndërsa nëse flasim me shifër nga data 8 deri më sot kemi 2 mijë e 600 të vaksinuar, përfshirë moshën mbi 85, 80 dhe tani 75 e tutje”, tha ai.
Bardhi njoftoi se edhe në ditët në vazhdim do të vijohet me vaksinimin e personave 75 deri në 79 vjeç që shoqërohen me sëmundje kronike.
“Nga sot edhe ditët në vazhdim prapë do të jetë grupmosha e të vaksinuarve 75 e sipër e jo nën moshën 75-vjeçare, ndaj kërkojmë mirëkuptimin të gjithë qytetarëve dhe gjithë atyre që tentojnë dhe që kanë dëshirë të marrin vaksinën, por për momentin vaksinimi do të shkojë mbi moshën 75-vjeçare që kanë edhe sëmundje kronike”, tha Bardhi.
Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës AstraZenenca u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80-vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.