Deputeti i Parlamentit të Turqisë, Muhamed Balta thotë se Kosova duhet të punojë më shumë në aspektin e ruajtjes së mjedisit, pasi beson se vendi ka nevojë për më shumë gjelbërim.
Deputeti Balta, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Mjedis në një intervistë thotë se Kosova duhet të marrë shembuj nga vendet e tjera në mënyrë që të marrë praktikat më të mira. Sipas tij, nevojitet implementim i planeve mjedisore.
“Njerëzit duhet të vetëdijesohen për proceset të cilat shkaktojnë ndotjet e ajrit dhe mjedisit, ne u informuam se janë bërë planet master për transportin, natyrisht mirë që janë bërë këto plane por nuk mjafton vetëm bërja e këtyre planeve, është me rëndësi edhe implementimi. Implementimi duhet të bëhet nga vetë njerëzit por edhe nga qeverisjet lokale, pra komunat gjatë zbatimit të këtyre master planeve, proces i jetësimit të zbatimit të këtyre master planeve, ndërtimi i rrugëve duhet të shoqërohet edhe me gjelbërimin përkatës pasi që gjelbërimet rreth rrugëve në një formë janë thithëse ose absorbues të këtyre gazrave emetuese, është e nevojshme që të shihen edhe përvojat e mira në botë lidhur me këtë, dhe këto të praktikohen në Kosovë”, thotë ai.
Deputeti turk ka shtuar se Turqia vazhdon ta përkrah Kosovën në çështje të ndryshme politike duke përfshirë edhe problemet mjedisore dhe klimatike.
“Ne përvojat më të mira jemi të gatshëm t’i ndajmë me të gjitha palët e interesuara, në këtë kontekst edhe me Kosovën por problemet mjedisore dhe klimatike nuk janë që i përkasin vetëm një shteti ose populli, janë probleme universale dhe globale, prandaj ne jemi të interesuar për zgjidhjen e problemeve universale”, shtoi ai.
Muajin e kaluar, në qershor, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një konferencë parlamentare ndërkombëtare në të cilën është diskutuar për të ardhmen e transportit rrugor ku kanë marrë pjesë deputetë dhe kryetarë të komisioneve për mjedisin të vendeve të ndryshme ballkanike.