Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Ata takuan kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe kolegët e tyre kosovarë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Pas takimeve, ligjvënësit belg premtuan mbështetje ndaj Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Kryesuesi i delegacionit Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO, Theo Francken tha se Belgjika gjithmonë do të mbështesë integritetin territorial të Kosovës.
Ai shtoi se në Ballkanin Perëndimor ka shumë tension, andaj do të përkrahin Kosovën në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Belgjika e ka mbështetur gjithmonë vendin tuaj që nga dita e parë e pavarësisë. Dua të bëj një qëndrim të fortë se Belgjika do ta mbështesë gjithmonë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe integritetin territorial të vendit tuaj. Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet. Ka shumë tensione brenda Ballkanit, shumë tensione brenda vendit dhe mendoj se është një gjë e mirë që ne jemi këtu për të theksuar se Belgjika do të qëndrojë gjithmonë e fortë në anën tuaj, dhe gjithashtu kur flasim për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosova mund të jetë dhe duhet të jetë anëtare. Një anëtare e asociuar që do të jetë një hap shumë i mirë përpara në kuadër të integrimit dhe mendoj se AP e NATO-s, është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdon të jetë një nga prioritetet tona”, tha ai.
Ai nënvizoi se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme për NATO-n.
“Kemi pushtimin rus në Ukrainë dhe ne shohim se krahu lindor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, vazhdon të jetë nën presion dhe kjo është përgjegjësia jonë si vende të Evropës Perëndimore për të mbështetur njerëzit që jetojnë në Evropë ose që jetojnë në anët lindore të kontinentit të Evropës, kështu që kjo do të thotë se edhe këtu. Në Ballkanin Perëndimor duhet të bëjmë një hap përpara dhe të theksojmë realisht se stabiliteti dhe siguria për ju, për popullin tuaj është shumë e rëndësishme. Pika e tretë ka të bëjë me migracionin, ne kemi shumë njerëz nga Kosova në Belgjikë, janë më shumë se 40 mijë, dhe ne gjithmonë vazhdojmë të jemi mendjehapur dhe me zemër të hapur për njerëzit nga Evropa kur ata vijnë në vendin tonë, mendoj se është shumë e rëndësishme për të punuar, ne kemi nevojë për njerëz që punojnë”, theksoi deputeti belg.
Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare në NATO, deputeti Driton Hyseni tha se janë të angazhuar për rritjen e prezencës së Kosovës në këtë institucion.
Ai u shpreh i kënaqur me përkrahjen e Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe struktura të tjera euro-atlantike.
“Shumë të nderuar dhe të kënaqur nga kjo vizitë, por edhe nga përkrahja e delegacionit të Belgjikës, por edhe Belgjikës si shtet ndër vite dhënë Kosovës. Sidomos përkrahja, e cila vjen sa i takon proceseve të integrimit evropian, kudo që Kosova ka rastin të futet në agjendat e institucioneve të BE-së, Belgjika është pranë Kosovës dhe ka përkrahjen e saj. Këtë përkrahje e konfirmuan edhe tre deputetët e parlamentit të Belgjikës se do të jenë pranë Kosovës dhe aspiratave të popullit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, për integrim në NATO dhe integrim në mekanizmat të tjerë të Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova mos të ndihet e lënë anash, por të jetë pjesë e familjes së vlerave të BE-së”, theksoi Hyseni.
Krahas këtyre, deputetët belgë u takuan edhe me Komisionin parlamentar për Siguri dhe Integrime Evropiane.