Mbi 1 mijë e 500 persona në Deçan po dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm. Për këtë rast ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se do të marrin masa ndaj bordit dhe menaxhmentit të “Hidrodrini” për çdo lëshim të mundshëm.
Ministrja Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, duke iu përgjigjur anëtarëve të këtij komisioni për atë çka ka ndodhur me banorët e Deçanit, e që dyshohet të ketë edhe viktima, tregoi se të mërkurën do të vizitojnë ndërmarrjen “Hidrodrini” për të parë nga afër lëshimet e mundshme që mund të kenë ndodhur dhe çuar deri te helmimi i qytetarëve.
“Përveç kontaktit të vazhdueshëm, nesër do të vizitojë kompaninë për t’u informuar nga afër për punën e saj dhe për të tentuar të kuptojmë nëse ka qenë ndonjë lëshim nga ana e kompanisë që e ka shkaktuar këtë, dhe nëse po, atëherë brenda mandatit tonë ne si Ministri çfarë mund të ndërmarrim masa për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë në të ardhmen. Përtej këtij rasti të rëndë, ne kemi probleme të natyrave të tjera në sektorin e ndërmarrjeve të ujërave. Problematika me faturim dhe inkasim është diçka që i prek të gjitha ndërmarrjet publike”, theksoi Rizvanolli.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka fajësuar ministren Rizvanolli dhe Qeverinë për reagimin me vonesë ndaj rastit të fundit në Deçan. Deputeti Lekaj ka kërkuar përgjigje edhe për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Reagimi aq i dobët ka qenë, pothuajse fare. Sikur të kishte ndodhur edhe diku jashtë kufijve tonë, është dashur që Qeveria të reagoj më shumë, e lëre më në Deçan. Ata janë qytetarë të Kosovës, as nuk keni reaguar me kontingjent të barnave si qeveri, e mos të flasim për gjëra të tjera. por unë e di që bordi si përzgjedhet dhe kujt i jep përgjegjësi[…]Sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, ne i dimë qëndrimet e Qeverisë, jeni duke e neglizhuar, keni punë më të mëdha. Shpresoj që një ditë do të bindeni që nuk keni tjetër rrugëdalje përpos implementimit të asaj marrëveshje”, theksoi Lekaj.
Sa i përket shërbimeve të ujit, kryetari i Komisionit Ferat Shala tha se fabrika e ujit në veri të Mitrovicës nuk është e licencuar dhe ka pyetur ministren se a do të marrin masa ndaj këtij operatori.
“Po i referohemi fabrikës së ujit në Zubin Potok, një fabrikë e ndërtuar viteve të fundit, e cila operon dhe furnizon pjesën veriore ujë që nuk faturohet nga institucionet tona dhe e cila nuk është e licencuar sipas ligjeve në fuqi”, theksoi Shala.
Për këtë ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli është përgjigjur se kjo është një sfidë e krijuar tash e mbi 20 vjet.
“Kjo nuk është situatë e re që ka ndodhur javëve apo muajve të fundit. Siç e dimë në komunat veriore përballemi me probleme dhe sfida të natyrave të ndryshme, në sektor të ndryshëm të cilët janë trashëguar dhe problemet janë shtresuar një mbi një qe 20 vjet. Mund t’iu them që jo vetëm për këtë sektor, por edhe si në sektorin e ujit ne do të bëjmë maksimumin që situata me furnizim të rregullohet dhe që të gjithë konsumatorët të trajtohen në mënyrë të barabartë”, theksoi Rizvanolli.
Ndërsa, një përplasje verbale për operimin e kompanive ilegale, pati ndërmjet deputetit të VV-së Driton Hyseni dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.
Deputeti Hyseni tha se është shqetësuese si nuk është raportuar deri tash për ujësjellësin ilegal në veri, derisa ka pyetur deputetin Shala pse këtë informacion për operatorin ilegal nuk e ka ndarë me anëtarë të komisionit dhe s’është zgjidhur tash.
Megjithatë, deputeti Shala nuk i është përgjigjur deputetit.
“Hyseni: Nëse ka pasur privilegje qe 20 vjet, ia keni dedikuar dikujt si qeverisje në këtë vend, vërtet është problem. Privilegje, nëse ju e keni ditë që 20 vjet që në veri operon një ujësjellës ilegal, edhe sot na e sillni këtu si një monedhë lufte politike, mendoj se nuk është. Edhe unë po të pyes ty.
Në këtë komision, pati mos pajtime edhe ndërmjet deputetëve të tjerë, ati të VV-së Armend Muja dhe deputetit të AAK-së Pal Lekaj rreth pyetjeve ndaj ministres së Ekonomisë.
Muja kërkoi nga ai që mos të bëjë gjykime.
Gjatë raportimit për më shumë se dy orë për planin e punës, ministrja Rizvanolli theksoi se prioritet dhe qëllim i ministrisë mbetet krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe energjisë së pastër.
Përkundër që me rishikim të buxhetit 2021 është paraparë norma e rritjes ekonomike 7.9 përqind, ministrja Rizvanolli thotë se parashikimet kanë ndryshuar dhe vendi deri në fund të vitit do të ketë një rritje ekonomike rreth 10 përqind. Për çka edhe pati reagime nga deputetë të opozitës për këtë normë.
“Rritja ekonomike pritet të jetë afër 10 përqind, nëse jo më shumë. Ky është parashikim nga Ministria e Financave. Ministria të cilën unë e drejtoj ka në mandat sektorin e energjisë, minierave, monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe sektorin e TIK-ut. Prandaj, më falni nëse nuk mund të përgjigjemi me saktësi të plotë dhe me detaje për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë”, thekson Rizvanolli.
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ministrja Rizvanolli, vuri theksin për sfidat e kësaj ministrie dhe të qeverisë lidhur me gjendjen e rëndë të disa ndërmarrjeve publike
Rizvanolli, duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit Ferat Shala, theksoi se në vitin e ardhshëm do të bëhet dekominsionimi i pjesëve jo funksionale të TC Kosova A.
Për këto dekomisionime, kryetari Shala theksoi se nevojitet një studim të fizibilitetit nëse mbështet kjo nga IPA III, dhe nuk ka përgatitje për këtë çështje.