UBT News

​Deputetët përkrahin amendamentin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Pozitë dhe opozitë po përkrahin propozim amendamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar deputetët që të votojnë amendamentin kushtetutues që mundëson përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të kushtetutës. Vitia në seancë plenare tha se respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim.

“Neni 22 i kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë suplamaci mbi legjislacionin vendor. Sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë si amandament kushtetutes. Pra një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke bërë amandamentimin e saj”, tha Vitia.

Ai shtoi se sistemi kushtetutes i Kosovës i ka vënë vetës detyrë parësore që t’i përmbahet detyrimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, duke iu dhënë prioritet traktateve ndërkombëtare.

“Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore, për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amendamentin, ju lutem dhe ju ftojë që ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, shtoi Vitia.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka ftuar deputetët që amendamenti i propozuar nga qeveria të miratohet.

“Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar amendamentin kushtetues numër 27 që ka të bëjë me përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komisioni përkrah amendamentin e propozuar numër 27 për amendamentin e kushtetutës, i vlerësuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili ka konstatuar që amendamenti nuk pakëson në asnjë mënyrë të drejtat e njeriut, përkundrazi avancon dhe zhvillon ato”, u shpreh ai.

E shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri theksoi se shteti duhet të angazhohet më shumë që këta persona të jenë pjesë e institucioneve.

“Në emër të GP-së së PDK-së mbështesim dhe përkrahim shqyrtim propozimin e amendamentit kushtetues 27, që e propozon Qeveria e Kosovës. Konsiderojmë që një amendament i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Mirëpo, konsiderojmë që kjo nuk duhet të mbetet thjesht në plotësim-ndryshimin e dokumenteve, duke filluar nga kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokumenti më i rëndësishëm i republikës sonë, pastaj ligjeve, rregulloreve dhe kështu me radhë. Mirëpo, duhet të kemi një angazhim më të madh, konkret në përkrahjen financiare të këtyre personave”, deklaroi Tahiri.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur propozimin e ekzekutivit, por deputeti Driton Selmanaj tha se duhet të ketë veprime konkrete për përkujdesje maksimale ndaj kësaj kategorie.

“Grupi i Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson iniciativën që Konventa e Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara të bëhet pjesë e listës së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe instrumenteve ndërkombëtare, të cilat kanë privalim juridik mbi çdo akt tjetër që ka miratuar dhe miratojnë institucionet e Kosovës. Po ashtu, vlerëson edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konsideron me aktgjykimin e saj që kjo nismë nuk cenon ose nuk pakëson liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat janë të përcaktuara me kapitullin 2 të kushtetutës”, u shpreh ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo nuk do të kalojë për shkak të bllokadës së Listës Serbe.

“Kemi një bojkotim të deputetëve të Listës Serbe. Andaj cila është detyra jonë si deputetë, përveç fjalëve të mira që i flasim dhe si qeveri, si kryeministër të veprojmë në këtë temë që jemi sot. Ne e dimë që viti 2022 ka qenë viti i personave me aftësi të kufizuara, për vitin 2022 janë bërë disa veprime. Në vitin 2023 po tentojmë ta amendamentojmë por fatkeqësisht nuk do të mundemi”, përfundoi ai.

Ai propozoi që viti i ardhshëm të jetë viti veprues për personat me aftësi të kufizuara. 

Exit mobile version