Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi, e ka vlerësuar udhëheqjen e Qeverisë Kurti si “qeverisje me kukamë”.
Demi ka shkruar në Facebook se në mesin e dështimeve kolosale të kësaj qeverie, pamundësia për të mbajtur regjistrimin e popullsisë më 1 shtator 2023 për mendimin e tij është një ndër dështimet më të mëdha.
“Kryeministri mund të fajësoj qeveritë e kaluara se kanë mbajtur regjistrimin me një memorandum, apo të fajësoj komunat. Por fakti është se fajtori kryesorë për këtë dështim është Qeveria. Regjistrimi i 2011 ka qenë i pari në Kosovën e pasluftës dhe memorandumet me organizatat ndërkombëtare edhe kanë qenë të arsyeshme”, ka shkruar Demi.
Kjo Qeveri, sipas tij, ka pasur dy vjet e gjysmë kohë me u përgatit, me i udhëheq vetë procedurat e prokurimit pa pas nevojë me lidhë marrëveshje me organizatat ndërkombëtare për me i mbulua dështimet Qeverisë.
“Se sa seriozisht e ka kjo qeveri regjistrimin e popullsisë tregon edhe fakti qe e kanë lanë ASK-në me ushtrues detyre të Kryeshefit që nga fillimi i mandatit qeverisës. Boll ma me vajtime e kukatje”, ka shkruar Demi.