UBT News

​Demaçi konsiderohet si arkitekt i pavarësisë së Kosovës

Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare 81” dhe ish të burgosurit politik kanë bërë homazhe pranë varrit të Adem Demaçit në 85-vjetorin e lindjes së tij.

Përfaqësuesi i tyre, Sejdi Gega tha se Demaçi barti mbi supet e tij aktivitetin kryesor të rezistencës kombëtare, derisa ishte edhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

“Njeriun që barti mbi supet aktivitetin kryesor të rezistencës sonë kombëtare duke i dhënë peshë dinamikës në Kosovë, e më pastaj së bashku me Lëvizjen Popullore të Kosovës formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që realizuan çlirimin së bashku me miqtë aleatë NATO-n. Veprat e bacës Adem shërbyen jo vetëm si burim frymëzimi për demonstrata e 1968, por edhe për demonstratat e ’81 për një varg veprimtarësh dhe komandantin legjendar Adem Jashari, vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Rexhep Malaj e Nuhi Berishën dhe shumë veprimtar ishte frymëzues dhe mësues i këtij ideali. Ishte simbol i rezistencës dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës që nga viti 1958. I përjetshëm me emrin, veprën dhe lavdin e tij”, tha ai.

Pasi vendosi kurora lulesh pranë varrit të Demaçit, Gega tha ai është njëra nga figurat që veprimtaria e tij është shtrirë në tërë trojet shqiptare.

“Sot jemi këtu tek trupi i bacës Adem për të shënuar 85-vjetorin e lindjes së tij. Jemi këtu ku pushojnë eshtrat e njërit prej figurave më emblematike të historisë së kombit shqiptar në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Pranë trupit të simbolit të rezistencës, pranë figurës që në vitet e 60-ta u shkri dhe u shtri në përmasat e atdheut edhe jashtë Kosovës në mbarë trojet shqiptare. Jemi këtu pranë trupit të nderit të kombit që prej viteve 60-ta është brohorit emri i tij edhe në Evropë dhe botë. “Rroftë Adem Demaçi poshtë tradhtarët” kjo është parulla që është përdorur gjithkund”, tha ai.

Pas homazheve, Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare ’81 gjatë ditës sotme do të mbajë edhe një tryezë për të diskutuar për veprimtarinë e Demaçit.

Exit mobile version