UBT News

​Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Katër të akuzuarit për futjen e bombolave të gazit në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2016, ish-deputetja dhe tani ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetja, Donika Kada-Bujupi, Besa Baftiu dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që ata akuzohen.

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që në 2016-tën ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, para trupit gjykues tha se qëllimi i tyre nuk ka qenë kriminal, por për të mbrojtur Kosovën nga cenimi i territorit.

“E kundërshtoj aktin si të tillë. Në vitin 2015-16 jemi përballuar me dy çështje shumë të ndjeshme, ka qenë detyrë e jona si deputetë të ndërmarrim veprime protestues, në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh. Qëllimi jonë nuk ka qenë kriminal sepse në një proces gjyqësor është i rëndësishëm edhe qëllimi ka qenë të mbrojmë Kosovën nga cenimi i territorit, sikur ne mos t’i bënim ato veprime, atëherë do t’i i vuanim pasojat e tyre. Ne jemi krenarë për ato veprime dhe nuk ndjehemi fajtor”, tha Haxhiu.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi nuk i mohoi veprimet e saj, duke shtuar edhe se nuk ndjehet fajtore për ato veprime.

“Veprimet e mija kanë qenë publike për bindjen dhe qëllimet politike, ky ka qenë motivi nuk e kam mohuar si të tillë, kanë qenë veprime të përsëritura në fakt në sallën e Kuvendit, në kuadër të mandatit të deputetes së Kuvendit të Kosovës, për të gjitha veprimet e mija që nuk i mohoj nuk ndjehem fajtore”, deklaroi Kadaj-Bujupi.

Edhe ish-deputetja Besa Baftiu tha se veprimet kanë qenë politike dhe në mbrojtje të territorit të Kosovës. Megjithëkëtë ajo deklaroi se ndjehet e pafajshme.

“Kanë qenë veprimet politike e ndjej vetën të pafajshme. Ka qenë veprim politik i domosdoshëm puna e deputetit është me mbrojtur territorin e Kosovës”, u deklarua Baftiu.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku tregoi se shqyrtimi gjyqësor e caktoi të mbahet më 18 maj në orën 13:15.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj – Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të vitit 2016, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Exit mobile version