UBT News

​Çitaku: Kurti bën sehir para aferave, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ftuar organet e rendit që të hetojnë të gjitha aferat të cilat po publikohen në media nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Në një konferencë për media, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se çdo ditë e më shumë po konfirmohet se partia e Kurtit nuk ka lënë sektor pa e shtrirë rrjetin e korrupsionit.

Çitaku pati kritika edhe për mënyrën se si këto afera të zyrtarëve qeveritarë po shpërfillen nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa u shpreh se disa prej tyre edhe i ka mbrojtur në mënyrë të pashpjegueshme. Ajo tha se prokuroria duhet të hetojë secilin rast dhe të sjellë drejtësi pasi janë qytetarët ata që po e pësojnë.

“Përballë kësaj situate, më skandaloze se aferat, është mënyra se si kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës po i qaset dhe si po reagojnë ata karshi aferave të zbuluara. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë, shpërfillje dhe në rastin më të keq ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave sikurse që ka humbur vaji dhe gruri”, deklaroi Çitaku.

Çitaku, duke përmendur emrat u shpreh se largimi nga detyra i këtyre funksionarëve do të duhej të ishte vetëm fillimi ndërsa ballafaqimi me drejtësinë është përgjigjja e duhur.

“Largimi nga detyra do të duhej të ishte fillimi por jo fundi. Ballafaqimi me drejtësinë është përgjigjja e duhur në situata të tilla. Ka përgjegjësi publike, morale dhe ligjore. Kryeministri duhet të jap përgjigje përgjegjësisë publike dhe morale. Përgjegjësinë ligjore pastaj e kanë organet e rendit. Por çfarë ka bërë kryeministri Kurti? Kryeministri Kurti në Parlamentin e Kosovës ka goditur prokurorinë në vend që t’i jep mbështetje institucioneve të drejtësisë, kryeministri Kurti dhe eksponentët e lartë të qeverisë kanë goditur gazetarët në vend se t’i mbrojnë dhe t’i promovojnë ata. Pra çdo gjë që po bëhet gabim nga një njëri me pushtet është bërë gabim”, shtoi Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së tha se çdo ditë e më shumë po rrënohet edhe “aura e epërsisë morale” të cilën VV ia kishte veshur vetes si parti me duar të pastra. Ajo tha se edhe shërbyesit civilë janë duke u përballur me presione të jashtëzakonshme.

Çitaku akuzoi Kurtin se në këto vite pushtet ka prodhuar vetëm kriza që po shkaktojnë dëme edhe në raportet me aleatët por edhe ne aspektin ekonomik.

“E vetmja gjë që ka prodhuar kryeministri Kurti tani pothuajse tre vite në pushtet është një cikël i pafund i krizave të cilat kanë rezultuar në polarizime të brendshme dhe në acarimet e skajshme me aleatët tanë. Kjo vetëm Kosovës nuk i konvenon, vetëm interesit publik nuk i konvenon dhe nuk po flas këtu vetëm për dëmin politik, po flas edhe për dëmin në fushën e ekonomisë, frikën që ka ndjellë kjo qeveri tek investitorët, frikën që kemi ndjellë tek aleatët si partnerë kredibilë dhe të besueshëm. E vetmja gjë konsistente tek kryeministri Kurti ka qenë mungesa e konsistencës, sot e thotë një gjë, i rendit dhjetë parime, nesër i shkel ato”, vijon Çitaku.

Në konferencën e Çitakut ishte shpallur edhe një baner me siç i quajti ajo, skandalet e Qeverisë aktuale të Kosovës, ndërsa nënkryetarja e PDK-së u shpreh se në fund janë edhe tri pika pasi nuk ka baner që i zë të skandalet e ekzekutivit të udhëhequr nga Albin Kurti.

Exit mobile version