Ambasadorja fraceze në vendin tonë, Marie-Christine Butel dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde përmes një shkrimi të përbashkët autorial në 59-vjetorin e traktatit Elysee që vulosi pajtimin franko-gjerman thanë se ky akt mund të shërbejë si burim frymëzimi për Kosovën dhe Serbinë.
Traktati Elysee shërbeu si themel i paqes mes Francës dhe Gjermanisë, dy vende që kishin qenë në luftë tri herë brenda 70 vjetëve e që shkaktuan miliona vdekje nga të dyja anët. Me këtë rast, të dy ambsadorët ftuan Kosovën dhe Serbinë për më shumë bashkëpunim.
Sipas tyre,bashkëpunimi rajonal është thelbësor për rritjen ekonomike të rajonit, e cila është thelbësore për të garantuar stabilitetin afatgjatë dhe për t’u ofruar të rinjve perspektiva dhe mundësi në këtë rajon.
“Kosova dhe Serbia janë Evropë, Ballkani Perëndimor është në zemër të saj. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij, në ballë të të cilave janë Franca dhe Gjermania, ofrojnë mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të destinuara të integrohen në Bashkimin tonë”, thuhet në shkrim.
Amabsadorët Butel dhe Rohde ftojnë Kosovën dhe Serbinë që të marrin këtë frymëzim për t’u angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe Përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajçak.
“Kjo është rruga më e mirë drejt paqes, prosperitetit dhe drejt BE-së. Pikërisht në këtë dialog duhet të bëhen propozime konstruktive, të cilat ruajnë të ardhmen dhe interesat reciproke të të dy vendeve, si dhe të qytetarëve të të dyja vendeve. Sepse, përmes këtij dialogu mund të ndërtohet besimi me respekt për njëri-tjetrin dhe për marrëveshjet e kaluara dhe të ardhshme. Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të jenë aty për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të gjitha reformat që i afrojnë të dyja vendet drejt integrimit evropian, në të mirë të demokracisë dhe të gjithë qytetarëve evropianë”, vijojnë ata.