Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, deklaroi se Sekretari Anthony Blinken, nuk do të hezitojë të përfshihet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Price tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të inkuadruara në proces dhe në partneritet me Bashkimin Evropian dhe se po i përkrahin fuqishëm të dy palët e dialogut, transmetoi “ThePavlovicToday”.
“Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën maksimale, për t’i çuar përpara diskutimet e tyre mbi marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”, tha Price, duke potencuar se emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitat në Kosovë dhe Serbi do t’i zhvillojë për të shprehur mbështetje.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se ShBA-ja dhe BE-ja kanë interesim dhe angazhim maksimal për dialogun mes dy vendeve.
“Sekretari Blinken nuk heziton t’i telefonojë palët personalisht, në rast se angazhimi i tij është përbërës i domosdoshëm”, tha Price.