Zëvendëskryeministër i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bilsimi, pas dështimit për të arritur marrëveshje në Bruksel gjatë së premtes në kuadër të raundit të fundit të bisedimeve me Serbinë, deklaroi se serbët shfrytëzuan takimin vetëm për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për gjoja gatishmërinë e tyre për bashkëbisedim.
Sipas tij, mundësia e fundit për të gjetur një zgjidhje të mirë për qytetarët në temën e targave u shpërdorua paturpësisht dhe me një qasje irrituese.
“Takimi ishte thirrur pas garantimit të palës serbe që përfundimisht do jenë konstruktiv dhe do vijnë me propozim konkret për një zgjidhje permanente për problemin e targave, e cila do të jetë në harmoni me praktikat më të mira evropiane. Në vend të kësaj, ata shfrytëzuan takimin vetëm për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për gjoja gatishmërinë e tyre për bashkëbisedim dhe për të derdhur një varg deklaratash të pamatura para gazetarëve. Fatkeqësisht, mundësia e fundit për të gjetur një zgjidhje të mirë për qytetarët në temën e targave u shpërdorua paturpësisht dhe me një qasje irrituese”, tha Bislimi.
Ai ka hedhur poshtë edhe deklarimet se pala kosovare nuk ka qenë e gatshme për takim trelateral.
“Shumë i pakuptimtë ishte edhe deklarimi për mosgatishmëri të palës sonë për takim trelateral, meqë ishte ekipi ynë që insistoi në takim trepalësh, por Beogradi nuk u dha leje për këtë”, vijoi Bislimi.