Në Komisionin për Integrim Evropian është shqyrtuar Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026, të cilin plan e ka prezantuar zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se Qeveria ka një plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës këtë vit. Ai theksoi se janë 229 masa të cilat pritet të zbatohen deri në fund të vitit.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për moszbatimin e planit legjislativ, siç është edhe Projektligji për pagat, Bislimi theksoi se agjenda legjislative nuk është orar i autobusëve, por plan i veprimit.
Duke iu përgjigjur deputetes Blerta Deliu Kodra, për vonesën e miratimit të Ligjit të pagave, zëvendëskryeministri Bislimi tha se si Qeveri janë të përkushtuar të sjellin një projektligj që nuk është në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese sikur në të kaluarën.
Bislimi në komision bëri të ditur se të enjten e ardhshme do të takohen grupet punuese Kosovë-Serbi për çështjen e targave në Bruksel.