UBT News

​“Ballkan i Hapur”, Krifca: Nis eksporti për produktet blegtorale

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se, sot në mbledhjen e qeverisë u miratua marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe sigurisë fitosanitare, në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Krifca bëri të ditur se përfitimet për Shqipërinë në këtë marrëveshje synojnë hapjen për herë të parë të eksporteve për të gjitha produktet blegtorale, ku përfshihen kafshët gjalla në bazë të reciprocitetit.

Ministrja e vlerësoi këtë marrëveshje, një arritje që vjen si një kërkesë e vazhdueshme e aktorëve të këtij sektori.

Gjithashtu tha ajo përmes kësaj marrëveshje sigurohet njohja për herë të parë e certifikatave veterinare dhe atyre fitosanitare mes vendeve, si dhe e laboratorëve të akredituar, duke hequr kështu një kosto të shtuar për biznesin dhe shkurtuar kohës në pikat doganore.

“Kështu, evitohen ndalesat në kontrollet e pikave kufitare, duke bërë kontroll në doganën më të afërt me vendet e destinacionit. Qëllimi është që të ulim kohën e tranzitit të mallrave në dogana”, theksoi Krifca.

Ministrja bëri të ditur se, marrëveshja siguron shkëmbimin e e informacioneve në kohë reale, ndërmjet autoriteteve kompetente, që siguron shkëmbimin e produkteve dhe mbarëvajtjen e tregtisë rajonale.

“Për vitin 2022 qeveria ka parashikuar buxhetin më të madh të mbështetjes për sektorin e bujqësisë, që në të gjithë Programin e Zhvillimit Rural shkon në vlerën e 7.1 miliardë lekëve”, tha Krifca.

Ajo theksoi se, “mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerët është në vlerën 3.2 miliardë lekë”.

“Qëllimi është rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë, që ato të dalin jo vetëm në treg, por edhe në tregjet rajonale”, tha ministrja Krifca.

Ajo vuri në dukej se Ministria po punon fort, që prodhimi vendas të rrisë standardet dhe cilësinë në aspektin e sigurisë ushqimore.

“Ne do të mbështesim investimet e sipërmarrjes që rrisin jo vetëm kapacitetet por edhe standardet”, u shpreh Krifca.

Exit mobile version