Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin në veri të Kosovës në 24 shtator.
Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar situatën. Sulmin nga grupi i armatosur serb, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ministrja gjermane e cilësoi tinëzar.
“Provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën e cila edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi dhe kjo ndodh pas një sulmi tinëzar kundër Policisë së Kosovës nga një bandë terroriste të armatosur gjerë në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë më përpara proceset hetimore për ngjarjet e 24 shtatorit dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes së majit kundër ushtarëve të KFOR. Situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur prezencën e KFOR dhe përmes këtij sinjali ne bëjmë të qartë, qëndrojmë vigjilent, kontribuojmë për stabilitetin dhe sigurisë dhe të ardhmen e rajonit e kemi përemër, por çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë… nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që Serbia dhe Kosova të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis, më shumë kurajo për t’u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikave të brendshme”, tha ajo.
Baerbock theksoi rëndësinë integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Është kënaqësi fakti që Procesi i Berlinit zhvillohet për herë të parë në rajon, aty ku procesi i Berlinit është në shtëpinë e vet. ..veçanërisht për të rinjtë e këtij rajoni, është tërësisht e qartë që e ardhmja gjendet në Evropë, dhe nëse Evropa nuk vjen tek ata, ata do të gjejnë një rrugë drejt saj, me gjasë shumë prej tyre e kanë gjet këtë rrugë, andaj të gjithë duhet të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vizita në Kievë, e neve si ministra të BE-së na ka bërë të qartë edhe një herë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e bën edhe e shndërron anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të domosdoshëm në dimensionin gjeopolitik”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, u shpreh se këto takime zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor
“Lajmi i mirë është se ka një vullnet të ri politik për të zgjeruar Bashkimin Evropian me Ballkanin Perëndimor. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian. Qëllimi është që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët. Energjia dhe transporti janë dy sektorë kyç në agjendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë”, tha Hasani në fund të këtij samiti.
24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit u mblodhën sot në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm. Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë, që do mbahet në 16 tetor.