Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka mirëpritur tenderin për rritjen e pagave të punëtorëve teknik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku parashihet që ato të jenë 402 euro. Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se do të konsultohen me punëtorët për të parë nëse ata do të pranojnë këtë shumë. Azemi ka deklaruar se kërkesa e Sindikatës ishte që pagat të jenë 450 euro.
Sipas tij, nëse do të ishte në fuqi Marrëveshja Kolektive “kjo pagë do te kalonte shumën së paku 470 euro për të cilën ne do të luftojmë me mjete sindikale që edhe kjo të bëhet”.
“Pas shumë presioneve, protestave, dhe grevave, që bëmë në QKUK, tani e tutje pagat e punëtorëve teknik nuk do të jenë më 275 euro, ato do të jenë 402 me tenderin e ri i cili veç është publikuar, se a do ta pranojnë këtë pagë këta punëtor ne do të konsultohemi me ta, dhe do të dalim me qëndrim të qartë, mund të themi se nuk oshtë ajo që e kemi kërkuar ne, por është për tu çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450, dhe na janë ofruar 402”, ka thënë Azemi përmes një komunikate për media.