UBT News

​Arrestohen shtatë persona në Gjakovë, po luanin bixhoz

Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona në Gjakovë, pasi të njëjtit dyshohet se kryen veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Në komunikatën për media, bëhet e ditur se Policia fillimisht kishte pranuar informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Gjakovë ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit (bixhoz i paligjshëm).

“Më datën 09.11.2022 rreth orës 19:00, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është realizuar kontroll në lokalin ku dyshohej se ishte duke u zhvilluar dhe organizuar bixhoz i paligjshëm. Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur dhe arrestuar shtatë persona të cilët ishin duke luajtur lojën e fatit të ashtuquajtur ‘Barbut’”, thuhet në raport të Policisë.

Bëhet e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me inicialet P. P., i lindur në vitin 1963, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet se ishte organizatori i lojës dhe pronar i lokalit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Exit mobile version