Prokuroria Speciale njoftoi se në vazhdën e hetimeve për rastin që ka të bëjë me sekuestrimin e 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, sot ka realizuar bastisje në dy lokacione, sipas urdhrit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me këtë rast, përveç sigurimit të provave materiale, ka arrestuar dhe ndaluar 2 persona me inicialet H.SH dhe N.M, shtetas të Republikës së Kosovës.
Të dy dyshohen për kryerjen e veprave penale, si pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për veprat penale të kryera në bashkëkryerje, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe frikësimi gjatë procedurës penale.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thotë se do të vazhdojë procedurat e tjera ligjore në rastin konkret.
Në maj të vitit të kaluar u konfiskuan 400 kilogramë të substancave narkotike të llojit kokainë në Lipjan. Aksioni për kapjen ishte realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë.
Kokaina, e cila u kap në oborrin e një kompanie private, kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.
Aktualisht, për rastin e njëjtë, në paraburgim janë duke qëndruar edhe katër persona të tjerë. Deri më tani, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.