Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi është shprehur se shqiptarët e Luginës së Preshevës pesë minuta para orës 12:00 presin me ëndje qëndrime dinjitoze dhe gjithpërfshirëse nga qeveria e Republikës së Kosovës, sepse shqiptarët e kësaj ane janë zgjidhja dhe jo problemi i marrëveshjes.
Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve do të arrihej me sukses, me ç’rast sjell paqe dhe stabilitet në rajon, atëherë vetëm duke përfshirë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Nëse procesi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve do të arrihej me sukses, me ç’rast sjellë paqe dhe stabilitet në rajon, atëherë vetëm duke përfshirë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përndryshe, është absurde dhe e pakuptimtë nëse shqiptarëve të Luginës u mohohen të drejtat elementare njerëzore, ndërsa pakicës serbe në veri të Kosovës i jepet një lloj kantoni i stilit helvetik me të gjitha pushtetet ekzekutive dhe legjislative. Pra, një shtet në një shtet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës pesë minuta para orës 12 presin me ëndje qëndrime dinjitoze dhe gjithëpërfshirëse nga qeveria e Republikës së Kosovës, sepse shqiptarët e kësaj ane janë zgjidhja dhe jo problemi i marrëveshjes. Flamurtarët e politikave të diferencimit për pushtete të kornizuara do të mbeten epiqendra e disfatave, pasi historia do t’i dënojë, ashtu siç i ka dënuar gjithmonë!”, ka shkruar Arifi.