Buxheti i Kosovës është dëmtuar për 246 mijë e 882 euro nga aprovimi pjesërisht gabim i 104 ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), për vitin 2020 dhe tre mujorin e parë të vitit 2021.
Kështu u tha në një konferencë për media të Demokracia Plus, me rastin e prezantimit të raportit të monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Ndërkohë u tha se me këtë rast aprovimi i pjesshëm i ankesës vetëm që të mos konfiskohet tarifa e ankesës, nxitë kompanitë që të dorëzojnë ankesa të pabaza dhe njëkohësisht rrit numrin e ankesave.
Drejtori i Programit të Demokracia Plus, Albert Krasniqi tha se shpreson që Bordi i ri i OShP-së do të marrë parasysh të gjeturat e këtij raporti, derisa shprehi gatishmërinë për të mbështetur avancimin e OShP-së.
Drejtoresha e programit në USAID “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”, Afërdita Mekuli tha se për 5 vite kanë parë se Organi Shqyrtues i Prokurimit është dukshëm më transparent.
Të gjeturat e raportit i prezantoi Agon Hysaj nga D+, i cili tha se pasi në OShP ankesat zakonisht janë për tenderë me vlera të mëdha, shumë investime kapitale të rëndësishme shtyhen për muaj si pasojë e ankesave.
Këtë fat, siç tha ai e patën edhe nxënësit e Prishtinës, të cilët janë dëmtuar nga pamundësia e komunës për të nënshkruar kontratën për pajisje të teknologjisë informative.
“Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për furnizim me pajisje të teknologjisë informative vetëm pas 501 ditësh për mësimin online, që nënkupton se është kryer viti shkollor pa i marrë nxënësit pajisjet.
Kurse me këto të gjetura u pajtua plotësisht kryesuesi i Sekretariatit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Ardian Behra.
“Nuk kam çka të shtoj as pikë, as presje në këtë raport, pajtohem në plotëni. Po shpresojmë që Bordi i ri t’i marrë parasysh ato”, tha ai.
Demokracia Plus ka rekomanduar që OShP të mos aprovojë pjesërisht ankesat vetëm për mos konfiskuar tarifën e ankesës. OSHP do të duhej që të konfiskojë më shpesh tarifat.