UBT News

​Aplikimi i Kosovës në BE: I mbetet Këshillit të vendos

Bashkimi Evropian tha se është në dijeni të synimeve të Kosovës për të paraqitur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por e ka qartësuar se Traktati i BE-së përcakton procedurat për përafrim për anëtarësim.

Zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero, në një konferencë me gazetarë në Bruksel, ka thënë se i mbetet Këshillit që ta marrë në konsideratë aplikimin sapo ta pranojë.

Pisonero e konfirmoi takimin e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelyi me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

“Komisioneri Varhelyi pati sot një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Bislimi. Kosova e ka bërë publike synimin e saj për të aplikuar për anëtarësim në BE. Natyrisht, kjo nuk na takon neve ta komentojmë. Traktati i Bashkimit Evropian është i qartë për sa i përket procedurave për aplikimin për anëtarësim në BE, dhe ju e dini se i takon Këshillit, nëse dhe kur të mbërrijë një kërkesë e tillë, që ta shqyrtojë atë”, tha ajo.

Bislimi po qëndron në Bruksel për një vizitë zyrtare dhe është bërë me dije se vizita e tij përputhet me synimet e Kosovës për të paraqitur aplikimin për anëtarësim në BE.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka thënë se aplikimi për anëtarësim në BE do të ndodhë brenda këtij muaji.

Exit mobile version