Ambasada e ShBA në Sarajevë ka thënë sot se të gjithë në BeH kanë një garanci të ShBA-së për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe mbështetje të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar besimin e ndërsjellë.
Në një njoftim për media thuhet se Ballkani Perëndimor ka një potencial të madh ekonomik, i cili hapet më së miri përmes bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
“Bisedimet mbi tërheqjen nga institucionet e nivelit shtetëror krijojnë pasiguri rregullatore dhe ligjore që do të dëmtojnë RS dhe do të minojnë perspektivat ekonomike të BeH dhe rajonit. Është në interesin e të gjithëve që të kthehen në tavolinë”, thekson ambasada.
Deklarimet nga ambasada amerikane në Sarajevë vijnë pas takimeve që zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, ka zhvilluar me anëtarët e Presidencës së BeH, Kolegjiumit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të BeH.
Zëvendës ndihmës Sekretari Escobar u kujtoi anëtarëve të Presidencës së BeH dhe përfaqësuesve të parlamenteve të BeH dhe FBeH për nevojën për të bindur qytetarët për angazhimin e tyre për paqen dhe përparimin në BeH si një shtet sovran.
“Dialogu dhe puna përmes institucioneve mbi sundimin e ligjit, reformat zgjedhore dhe ekonomike do të ndërtojnë një BeH më funksionale, në të cilën të dyja entitetet dhe distrikti i Brckos përparojnë, dhe qeveria në të gjitha nivelet është e aftë të përmbushë detyrimet dhe një perspektivë evropiane”, përfundon komunikata.