UBT News

​Ambasada britanike thotë se KPK i injoroi për konkursin e kryeprokurorit

Ambasada britanike është shprehur e befasuar me vendimin e Këshillit Prokurorial që ka shpallur konkursin për kryeprokuror të shtetit. Ambasada thotë se ka ofruar mbështetje për procesin e rekurtimit, por nuk kishin marrë përgjigje ndërsa pa paralajmërim ishte hapur konkursi.

Ambasada britanike ka kërkuar nga Këshilli Prokurial që të zhvillojë një proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor.

“Ambasada britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike.

KPK tha se vendimi për shpalljen e konkursit për kryeprokuror të shtetit është marrë duke u bazuar në rregulloren për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurorit aktual të shtetit.

Exit mobile version