UBT News

​Aliu: Do ta shkurtojmë rrugën ajrore drejt Evropës

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, po vazhdon edhe sot ku ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.

Aliu në vazhdimin e seancës ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë, ka thënë se sa i përket rrugëve ajrore, në të ardhmen do ta bëjnë edhe një marrëveshje me Malin e Zi, e cila do të shkurtojë rrugët drejt Evropës.

“Një marrëveshje e tillë i shkurton rrugët ajrore prej Vjenës në Prishtinë për gati rreth një orë, natyrisht pas hapjes së rrugëve me Shqipërinë. Një kohë rrugët ajrore që kanë ardhë në Aeroportin e Prishtinës, ka shkruar përmes Maqedonisë, tash me hapjen e korridoreve me Shqipërinë është shkurtuar rruga dhe në të ardhmen pas arritjes së marrëveshjes me Malin e Zi, do të kemi mundësi të hapim dy korridore të reja me Malin e Zi të cilat do të na shkurtojnë rrugën për fluturimet nga Evropa më shumë se 30 minuta nga versioni i parë që ka qenë me Malin e Zi”, tha ai.

Ministri Aliu ka thënë se ideja që do të mund të ndërtohet infrastruktura, pa realizuar shpronësimet është ide e gabueshme dhe iu ka sjellë në vazhdimësi telashe.

“Që në vitin e parë kemi arritur t’i shpronësojmë 75 milionë euro me rishikimin e buxhetit 2022, dhe në këtë vit presim që edhe 25 milionë tjera t’i shpenzojmë për projekte të tjera që lidhen Prishtinën me Gjilanin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën dhe Podujevën”, tha ai, duke shtuar se pas këtyre shpronësime do të ketë avancim në punimet e këtyre projekteve.

Ai shtoi se të gjitha terminalet doganore janë rikthyer në pronësi të shtetit.

Atij i ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili i tha se e kupton procedurën e shpronësimeve.

“Nuk e kuptoj Hysen Durmishin në fushatë zgjedhore ku del dhe shkon e thotë qytetarëve të Podujevës se për 9 muaj kryhet, pastaj shkon kryeministri. Jo që kanë kaluar 9 muaj por kemi hyrë në vitin e tretë dhe rruga për Podujevë nuk është kryer. Këtu duhet të marrë një përgjegjësi politike me thënë kërkojmë falje, kemi qenë në zgjedhje në rregull jemi”, tha ai.

Ministri Aliu iu kundërpërgjigj duke thënë se pjesa e premtuar se do të realizohet për 9 muaj, është realizuar.

Exit mobile version