Para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, organizata Lëvizja për Demokraci sot ka mbajtur një aktivitet simbolik të quajtur “Burg”, me hartën e Kosovës, për ta kundërshtuar mosliberalizimin e vizave.
Mexhid Ramusa, drejtues i kësaj organizate, theksoi se duan t’i tregojnë Bashkimit Evropian se si po e mban të izoluar padrejtësisht Kosovën.
“Në bazë të këtij aktiviteti simbolik, duam t’i tregojmë Bashkimit Evropian se si po na mban të izoluar padrejtësisht. Ne si popull nuk kemi asnjë faj të mbetemi të izoluar në kësi lloj burgu. Ne jemi edhe të vrarë e të masakruar, por edhe të izoluar. Në këtë aktivitet, këtë ‘burg’ siç po e quajmë, do ta dërgojmë edhe para Zyrës së Bashkimit Evropian në Bruksel”, theksoi Ramusa.
Ramusa derisa theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim, teksa shtoi se Bashkimi Evropian nëse i promovon vlerat e demokracisë, nuk ka arsye që ta mbajë Kosovën të izoluar.
“Pse BE na mban të izoluar? Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Nëse Bashkimi evropian i promovon vlerat e demokracisë, atëherë pse neve po na mban të izoluar, a nuk quhet kjo racizëm?”, theksoi Ramusa.
Edhe të premten e kaluar në Prishtinë është mbajtur një marsh – protestë kundër mosliberalizimit të vizave për Kosovën.