Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit D. Sh., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 26 qershor, në aksin rrugor Autostrada Duhel – Malishevë, ku i pandehuri, e drejton automjetin e tij “Mercedes”, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, gjithashtu nuk i ka kushtuar kujdes pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
“I njëjti duke mos mbajtur shiritin e tij qarkullues, e godet drejtuesin e automjetit “Citroen”, ku si pasojë e goditjes së rëndë dhe fuqisë së përplasjes, humb jetën i dëmtuari N.A. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit D. Sh., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 26 qershor 2021”, thuhet në njoftim.