Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit numër 63. AKP njofton se lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 40 asete apo njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.
“Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë bëhet e ditur se ofertat e mbyllura për njësitë ose asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim numër 63 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 18 tetor 2023, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.
Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.