Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Lipjan, Imri Ahmeti, i cili po prin sipas rezultateve preliminare, ka deklaruar për KosovaPress se bazuar në informatat nga terreni janë fitues pa balotazh.
Ahmeti tha se qytetarët e Lipjanit me votën e tyre kanë shprehur mirënjohje dhe respekt për punën e tij të mëparshme.
“Informatat tona nga terreni na sigurojnë që ne jemi fitues pa balotazh në Lipjan. Janë edhe pak vendvotime për të futur të dhënat në sistem, por deri tash jemi fitues bindshëm… Besoj që publiku me votën e tij e ka konfirmuar si mirënjohje dhe respekt për punën e mëparshme”, tha ai.
I pyetur nëse do të mbajë premtimet gjatë fushatës nëse rezultatet përfundimtare e shpallin fitues, Ahmeti tha se do t’i tejkalojë ato.
“Unë besoj që po dhe do t’i tejkalojë. Kam qenë goxha i kujdesshëm në premtime këtë vit. Unë mendoj që premtimet e mia nuk kanë qenë elektorale ose për konsum të fushatës, por janë kryesisht premtime të bazuara në potencialin buxhetor që ka komuna dhe në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Lipjanit”, shtoi ai.