Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me nënkryetarin e komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, kanë vizituar lagjen “Dardania”, ku është projektuar të ndërtohet një rrethrrotullim.
Ministri tha se rrethrrotullimi do bëhet për ta shkarkuar lagjen “Dardania” të Fushë Kosovës për shkak të rritjes së fluksit të veturave.
“Ky rrethrrotullim do të zgjidh problemin edhe për banorët e Fushë-Kosovës, por edhe për bizneset që gjenden në këtë pjesë. Nevoja për ta ndërtuar këtë rrethrrotullim ka lindur si shkak i rritjes së numrit të veturave që kalojnë nëpër këtë rrugë”, tha Abrashi.
Ai bëri të ditur se kjo do të jetë zgjidhje afatgjate që do ta lehtësojë edhe komunikacionin.
“Janë mbi 54 mijë vetura që kalojnë nëpër këtë rrugë brenda ditës, në rrugën N9, dhe ka qenë e domosdoshme që të ndërtohet një rreth-rrotullim”, tha Abrashi.
Projekti ideor është punuar në tri variante nga kompania projektuese e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Ndërsa nënkryetari i Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi tha se projekti do të ketë impakt të madh në Fushë Kosovë, e veçanërisht në lagjen “Dardania”./UBTNews