UBT News

​Abrashi: Kryetarët e degëve mbeten në detyrë, nuk ka emra për kryetar të LDK-së

Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë mbledhur kryetarët e degëve të kësaj partie.

Pas mbledhjes është deklaruar sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, i cili tha se kryetarët e degëve do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në organizimin e kuvendit i cili do të ndodhë në javët në vijim.

Por se kush do të jetë në krye të partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës, Abrashi thotë se ende nuk ka diçka konkrete dhe se pritet të formohet një komisioni i cili do të merret me kandidaturën e që aty do të bëhen të ditur emrat.

“Ajo që është diskutuar sot është që kryetarët e degëve të mbesin në detyrë deri në organizimin e kuvendit i cili do të ndodhë pas disa javësh, kryetari do të deponojë dorëheqjen në Kuvend në mënyrë që pastaj që Kuvendi të vazhdojë me caktimin e zgjedhjeve të reja deri atëherë gjithë të tjerët janë në funksion të organizimit të Kuvendit. Nuk ka për momentin emra. Një komision që do të merret me punën e kuvendit zgjedhor dhe një komision tjetër që do të merret me kandidatura do të fillojë shumë shpejt dhe aty do të dalin edhe emrat”, tha ai.

Abrashi është pyetur edhe se a po synon Mustafa edhe një mandat tjetër për kryetar të LDK-së, por ai thekson se dorëheqja e tij ka qenë e parevokueshme dhe se ai nuk pretendon edhe një mandat tjetër.

“Dje në mbledhjen të kryesisë ka njoftuar tërë kryesinë që është e parevokueshme dhe nuk pretendon për asnjë mandat tjetër. Pra i hap rrugë kuvendit zgjedhor i cili do të mbahet në javët në vijim”, theksoi Abrashi.

LDK do të bëjë dhe analiza lidhur me rezultatet e kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Është diskutuar në baza individuale, por do të merremi me analiza më të thella ku do të diskutohet për të gjitha këto”, u shpreh ai.

Kujtojmë që një ditë pas rezultateve të zgjedhjeve e ku LDK u rendit e treta për nga numri i votave, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.

Exit mobile version