Deputetja Doarsa Kica – Xhelili, zyrtarisht u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputeten që deri tash ishte në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, e ka prezantuar sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Përms një njoftimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka shkruar se ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë. Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”, shkroi mes tjerash Abdixhiku në Facebook.