Në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve, kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, derisa e ka quajtur mohuese të krizës qeverinë, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta lidhë zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ia tërhoqi vërejtjen Abdixhikut.
Deputeti Abdixhiku, në fjalimin e tij, në një moment iu drejtua kryeministrit Albin Kurti: “Kryeministër, lidhe zëvendëskryeministrin”, duke iu referuar Besnik Bislimit, i cili i ndërhynte në fjalimin e tij.
“Ne si LDK krizën e kemi paraparë më ndryshe, e shumë më herët, në fillim të shkurtit kemi ngritur shqetësimin për luftën e mundshme në Ukrainë dhe nevojën qeverisë që të siguroj të gjitha format e mundshme në tregje ndërkombëtare rezerva të mjaftueshme për produkte bazike. Kryeministër, të lutem lidhe zëvendëskryeministrin. Trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe, por e keni mundësinë këtu në mikrofon në mënyrë tolerante, njerëzore të diskutoni. Lidhe!”, u shpreh Abdixhiku.
Kjo bëri që kryeparlamentari Konjufca t’ia tërheqë vërejtjen Abdixhikut, duke kërkuar tolerancë dhe kulturë.
“Të lutem deputet Abdixhiku, respekt ndaj kabinetit qeveritar. Shembullin e tolerancës dhe kulturës së pari duhet të jap individi vet, pastaj”, theksoi Konjufca.
Abdixhiku në fjalimin e tij në Kuvend, tha se qeveria ia ka ndërtuar vetes një pasqyrë fiktive të zhvillimit ekonomik.