Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur të premten kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, bashkë me delegacionin e tij. Me këtë rast kryetari Rama e nderoi me “Çelësin e Kryeqytetit” kryeministrin malazez.
I pari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se Abazoviq është në shtëpinë e tij dhe është i mirëseardhur kurdo.
“Kjo është shtëpia juaj, jeni të mirëseardhur kurdo herë, shpresoj se ky çelës tash të ndërlidhë shtetet tona edhe më shumë Kosovës së bashku me Malin e Zi dhe personalisht për juve që ta ndieni vetën në shtëpinë e juaj në Prishtinë, në Kosovë”, tha ai.
Shefi i qeverisë malazeze, Dritan Ambazoviq tha se me këtë nderim po ndihet si në shtëpinë e tij.
“Gëzohem personalisht që në një mënyrë simbolike bëhem qytetar i Prishtinës. Me të vërtetë e ndiej veten si në shtëpinë time dhe jam më se i bindur se me kryetarin dhe të tjerët do të punojmë si gjithë rajoni ta ndiejnë veten çdo kush vetën si në shtëpinë e tyre”, tha ai.
Abazoviq po qëndron në Kosovë prej të enjtes pasdite dhe sot pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast do të nënshkruhet Marrëveshja për Shërbime Ajrore ndërmjet dy vendeve.