Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga qeveria që të ketë prioritet çështjet që prekin qytetarët e Kosovës dhe mos të merret me fushatën zgjedhore në Shqipëri. AAK, në një konferencë për media, ka kritikuar ekzekutivin që ende nuk e ka prezantuar programin qeverisës, për çka kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur në pushtet me premtime të mëdha, ndërsa tani nuk po dëshmon punë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se janë dy muaj prej kur Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet në Kosovë por që punët e saj nuk po shihen askund.
“Po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit, por jo e shtetit, kjo qeveri po shihet që e ka zhurmën shumë të madhe e punët askund, zhurmën si tupan e punë askund. Njëkohësisht po shohim që po ka kohë të shkojë në fushata në Shqipëri, vendin ta mbyll, dhe mos të merret me detyrat prioritare”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se plani i punës i Qeverisë Kurti është dashur të bëhet më herët.
“Qasja që ka ndodhur javët e fundit tregon që qeverisja është duke ndodh çka i shërbehet në tavolinë e jo me një plan i cili është dashur të vijë shumë herët, për shkak se tash janë dy muaj prej kur zgjedhjet kanë përfunduar dhe është dashur që të jetë ky program që është kërkuar për të gjitha qeveritë. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë katër tema jashtëzakonisht që të vinë në program, e para ka të bëjë me energjinë, në asnjë formë në asnjë mënyrë nuk guxon të rritet çmimi i energjisë, e dyta kërkojmë që në atë program të vendoset sa saktësisht miratimi i ligjit të pagave që krijon një barazi”, ka shtuar Tahiri.
Tema e tretë më e rëndësishme sipas AAK-së ka të bëjë me Policinë e Kosovës, me sigurimin shëndetësor të policisë dhe pensionimin e parakohshëm. Sipas Tahirit, Qeveria Kurti do të ketë mbështetjen e AAK-së për këto tema.
Ndërsa deputetja nga kjo parti, Teuta Haxhiu ka bërë thirrje qeverisë që t’i informojë se ku ka arritur me programin qeverisës.
“Aleanca i bënë thirrje lidershipit qeveritar të na informojë se ku ka arritur me programin qeverisës kur do të dalë me atë program qeverisës, kur do ta shohim ne, kur do ta shohin qytetarët, qeveria të përfshihet në debate publike me media dhe përfaqësues të opozitës, përfshi në proceset vendimtare edhe ekspertë dhe organizata të profilizuara të shoqërisë civile, është koha që besimin dhe mandatin që ka fituar ta përkthejë në ndryshim. Ajo çfarë shohim deri më tani nuk jep asnjë sinjal shprese që po ecë në rrugën e duhur”, ka thënë Haxhiu.
Në AAK kanë thënë se sfidat në shëndetin publik dhe gjendjen ekonomike nuk lejojnë komoditet për qeverinë dhe as për opozitën.