Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) po kërkon që pushteti ta ndal presionin politik që po e bënë karshi institucioneve të pavarura sidomos ndaj Gjykatës Kushtetuese.
E nga kjo parti akuzojnë Qeverinë e Kosovës se në këto dy vite të qeverisjes nuk ka punuar në interes të qytetarëve të Kosovës. Këto komente përfaqësuesit e AAK-së i bënë në një konferencë për medie pas takimit që zhvilluan me asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se qasje e qeverisë është autoritare me presion politik karshi institucioneve të pavarura kushtetuese.
Deputeti Tahiri theksoi se presioni politik mbi Gjykatën Kushtetuese duhet të ndalet menjëherë.
“Kemi hyrë në vitin e tretë të qeverisë Kurti, vit i cili realisht po përshkruhet dhe po përsëritet si në dy vitet e para të qeverisjes asgjë nuk është duke ndodhur. Vendi është në krizë në të gjitha aspektet dhe realisht asgjë nuk është duke ndodhur me jetën e njeriut në raport me zhvillimin e komunave që do flasim edhe për Prishtinën dhe mbi të gjitha në aspektin e ligjshmërisë dhe respektit të institucioneve të pavarura. Dua të them se sot se qasja e kësaj qeveris është qasje autoritare dhe në historinë e re të Kosovës nuk mbahet mend më shumë të kish pas presion politik ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese. Presioni i parë politik është kah bie mbi Gjykatën Kushtetuese. Ju keni parë se si është komunikimi i Qeverisë në raport me Gjykatën Kushtetuese…Ky standard i presionit politik mbi Gjykatën Kushtetuese duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë nga të gjithë duke filluar nga qeveria edhe secili person politik i cili nuk e ka të drejtën”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se qeveria Kurti për dy vjet nuk ka sjell asgjë në interes të qytetarëve si në aspektin e zhvillimit ekonomik. Lekaj tha se qeveria Kurti është zhgënjyese edhe në politikën e jashtme.
“Qeverisja Kurti për dy vjet nuk ka bërë asgjë në interes të qytetarëve. Nëse nisemi nga zhvillimi ekonomik kemi një stagnim të zhvillimit ekonomik që e ka vështirësuar në masë jetën e qytetarëve nëse nisemi në sektorin privat paga minimale është 170 euro dhe ligji për pagën minimale është në sirtarët e Kuvendit dhe nëse nisemi tek energjia elektrike ju e dini që ZZRE ka marr vendim që të rritet energjia elektrike për 15% që e vështirëson edhe më tepër gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe kur jemi tek politikat fiskale mendoj se qeveria ka dështuar edhe pse ne si AAK…..Kemi kërkuar që të zbritet TVSh në produktet bazë për 6 muaj…tek investimet kapitale kemi zero investime kapitale dhe janë grumbulluar mbi 700 milionë euro që nëse shohim devalvimin e parasë publike kemi 20% dhe kjo shumë nëse merret ka zhvlerësim të parasë për 140 milionë dhe është humbje shumë e madhe”, u shpreh ai.
E krahas kritikave për pushtetin qendror në këtë konferencë u adresuan kritika edhe për pushtetin lokal në Prishtinë.
Shefi i asamblistëve të AAK-së në komunën e Pishtinës, Bahri Gashi tha se ka një ngecje të madhe në kryeqytet dhe nuk ka projekte serioze, por vetëm siç theksoi ai fasada dhe prova.
“Është një ngecje e madhe totale në komunën e Prishtinës nuk ka projekte serioze, ka vetëm fasadë dhe prova të vogla siç e kemi shembullin konkret bllokimi i sheshit “Xhorxh Bush”, i cili e ka paralizuar qytetin e Prishtinës dhe po vazhdon ta paralizoj edhe po has në vesh të shurdhër të komunës së Prishtinës”, deklaroi ai.