UBT News

​30 ditë paraburgim për dy persona që merreshin me fajde

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj personave me inicialet F.GJ. dhe A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale fajde, detyrim dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

I pandehuri F.GJ., nga data 21 nëntor 2020, në vazhdimësi deri më 2 shkurt 2022, në Prizren i kishte ofruar para në formë borxhi një personi, për shërimin e djalit të sëmurë, dhe më pas e ngarkon me kamata të larta.

Nga data 25 janar 2022 deri më 2 shkurt 2022, në Prizren i pandehuri F.GJ., ka sulmuar fizikisht personin e dëmtuar në këtë rast, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ndërsa i pandehuri i dytë A.D. akuzohet për ndihmë në fajde, pasi gjatë pagesës së kamatave për pesë muaj rresht kur i pandehuri F.GJ. nuk ishte prezent, i dëmtuari i paguan kamatat tek i pandehuri A. D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas t’i ketë dërguar të pandehurit F.Gj.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Exit mobile version