Në shënim të 14 prillit, dita e njohjes së sakrificës dhe vuajtjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me qëllim avancimin e procesit të njohjes ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe realizimin e të drejtave të mbijetuarve, organizatat e Platformës “Bëhu Zëri Im” udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës do të takohen me drejtuesit e institucioneve, ku ndër të tjera do të kërkojnë të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ata do të takohen me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe grupin e grave deputete të Kuvendit të Kosovës.
“Gjatë këtyre takimeve do të kërkohet që emërtimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës të ndryshohet në Komisioni për Njohje të Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës; afati brenda të cilit viktimat mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, të mos kufizohet në 5 vjet, por të jetë e drejtë e përhershme e garantuar me ligj; t’u mundësohet viktimave të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale” të gëzojnë të drejtën në pension personal që nga data e aplikimit për njohje të statusit. “Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës” t’u njihen të gjitha të drejtat dhe benificionet sikurse kategorive të tjera të përcaktuara me ligjin nr. 04/L-054 në mënyrë që të gëzojnë edhe të drejtën të përfitojnë shërbime shëndetësore pa pagesë; të ndryshohet përbërja e Komisionit duke i shtuar peshë dhe rëndësi aspekteve psikosociale të procesit të njohjes së statusit; të aplikohet qasje e theksuar sensitive në procesin e shqyrtimit të rasteve për njohje të statusit së viktimës seksuale gjatë luftës duke marrë parasysh të gjitha specifikat e këtij grupi të ndjeshëm si dhe stigmën që i rrethon; gjatë shqyrtimit të ankesave të sigurohet dy-shkallshmëria në rastet e ankimimit të vendimeve të Komisionit Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës; afati kohor i shqyrtimit të kërkesave për njohje të statusit prej momentit të paraqitjes së kërkesës për njohje deri te vendimi i Komisionit të mos jetë më i gjatë se 6 muaj; të sigurohet mekanizëm i pavarur monitorues i punës së Komisionit dhe shqyrtimit të rasteve me qëllim rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies të punës së Komisionit dhe realizimit të drejtave të viktimave që aplikojnë për njohje të statusit; viktimat të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale”, të pajisen me kartelë të viktimës civile të cilat me asnjë të dhënë nuk guxojnë të identifikojë kategorinë e përfituesit, por do t’u mundësojë viktimave të gëzojnë të drejtat dhe benificionet e caktuara me ligj”, thuhet në komunikatë.
Platforma “Bëhu Zëri Im” është themeluar më 16 prill të vitit 2021, nga katër organizatat e autorizuara për të mbështetur të mbijetuarit në procesin e aplikimit për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës; Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave; Medica Gjakova dhe Medica Kosova.