Kuzhinieri i famshëm shqiptarë, Rene Rexhepi, shefi dhe bashkëthemeluesi i restorantit Noma, një nga restorantet më të vlerësuara në botë, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për abuzim verbal dhe fizik nga ish-punonjësit.
Rexhepi e njoftoi largimin përmes rrjeteve sociale: “Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe udhëhequr këtë restorant, kam vendosur të tërhiqem dhe t’u lë hapësirë drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm që ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm.”
Ish-punonjës të Noma-s kishin denoncuar një ambient toksik pune, duke përfshirë abuzime verbale dhe fizike, sipas raportimeve të mediave. Rexhepi ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij dhe ka deklaruar se ka ndjekur terapi për të menaxhuar më mirë zemërimin: “Atyre që kanë vuajtur nën drejtimin tim, gabimet e mia apo zemërimin tim, kërkoj falje të thellë dhe kam punuar për t’u përmirësuar. Kam bërtitur dhe shtyrë njerëz, duke vepruar në mënyra që janë të papranueshme.”
Ai shtoi se ekipi i restorantit është më i fortë se kurrë: “Ekipi i Nomas sot është më i fortë dhe më frymëzues se kurrë. Jemi të hapur për të vazhduar kreativitetin dhe drejtimin e restorantit në këtë kapitull të ri.”
Rexhepi dha dorëheqje edhe nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, të cilën e themeloi në vitin 2011 për të ndihmuar të rinjtë që hyjnë në industrinë e restoranteve.
Protestat u zhvilluan jashtë lokacionit të Noma-s në Silver Lake, Los Angeles, dhe disa sponsorë, përfshirë American Express, tërhoqën mbështetjen për serinë e darkave me çmim 1,500 dollarë për person. Megjithatë, restoranti do të vazhdojë aktivitetin në Los Angeles pa praninë e Rexhepit, duke u mbështetur te ekipi që ai e përshkruan si “të jashtëzakonshëm”.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
